Variçela (Lija e Dhenve): Çfarë duhet të dijë çdo prind?

Variçela (Lija e Dhenve): Çfarë duhet të dijë çdo prind?

Pediatre • DIU në Dermatologji Pediatrike

Variçela është një infeksion viral shumë ngjitës i shkaktuar nga virusi Varicella-Zoster. Shfaqet më shpesh tek fëmijët dhe zakonisht kalon pa komplikacione, por kërkon kujdes për të shmangur mbinfeksionin e lëkurës.

Si fillon?

Shenjat e para janë:

  • Temperaturë.
  • Lodhje.
  • Dhimbje koke ose oreks i ulur.

Më pas shfaqen njolla të kuqe që kthehen në flluska me lëng. Flluska të reja mund të dalin me valë për rreth 5–7 ditë, prandaj në trup mund të shihen elemente në faza të ndryshme. Mund të preken edhe goja dhe organet gjenitale, duke shkaktuar dhimbje.

Si kujdesemi në shtëpi?

Trajtimi synon lehtësimin e simptomave dhe parandalimin e komplikacioneve.

  • Lajeni fëmijën çdo ditë me ujë të vakët dhe sapun të butë.
  • Thajeni lëkurën pa e fërkuar.
  • Mbani thonjtë të shkurtër dhe duart të pastra.
  • Përdorni antiseptik transparent (si klorheksidina ujore) vetëm sipas këshillës së mjekut për të ulur rrezikun e infeksionit bakterial.

Çfarë duhet të shmangni?

❌ Mos përdorni Ibuprofen apo antiinflamatorë të tjerë gjatë variçelës.

❌ Mos përdorni Aspirinë, për shkak të rrezikut të Sindromës Reye.

❌ Mos aplikoni pudër, talk, kremra apo pomada mbi lezionet pa rekomandimin e mjekut.

Çfarë mund të përdoret për temperaturën?

Për temperaturën dhe dhimbjet, zgjedhja e parë është Paracetamoli, në dozën e përshtatshme sipas peshës së fëmijës.

Kur duhet të kontaktoni menjëherë mjekun?

Kontaktoni mjekun nëse:

  • Flluskat bëhen të kuqe, të dhimbshme ose qelbëzohen.
  • Temperatura vazhdon ose rikthehet pas përmirësimit.
  • Fëmija ka vështirësi në frymëmarrje.
  • Gjendja e përgjithshme përkeqësohet.

Këshillat e Dr. Selmës

✔ Higjiena është pjesë e trajtimit – mos kini frikë ta lani fëmijën.

✔ Kruarja është shkaku kryesor i mbiinfeksionit; mbani thonjtë të shkurtër dhe shmangni kruarjen.

✔ Përdorni vetëm Paracetamol për temperaturën.

✔ Mos përdorni Ibuprofen, Aspirinë, pudra apo kremra pa këshillën e mjekut.

✔ Nëse temperatura rikthehet ose flluskat skuqen e qelbëzohen, kërkoni menjëherë vlerësim mjekësor.

 

Pyetjet më të shpeshta (FAQ)

Sa zgjat variçela?

Zakonisht 7–10 ditë, ndërsa puçrrat mund të vazhdojnë të dalin për 5–7 ditë.

A mund të dalë fëmija nga shtëpia?

Jo. Fëmija duhet të qëndrojë në shtëpi derisa të gjitha flluskat të jenë tharë dhe të kenë krijuar kore.

A lë variçela shenja?

Zakonisht jo. Shenjat shfaqen kryesisht kur puçrrat kruhen ose mbiinfektohen.

A mund ta laj fëmijën?

Po. Dushet e shkurtra me ujë të vakët 1–2 herë në ditë janë të rekomanduara dhe ndihmojnë në uljen e rrezikut të mbinfeksionit bakterial.

Back to blog